Çdo të thotë të kesh gjak në urinë (hematuri)? Si vendoset diagnoza dhe si trajtohet tumori i qesës (vezikës) urinare?
Të kesh gjak në urinë është një nga simptomat më të rëndësishme në urologji, prandaj duhet të gjenden patjetër shkaqet që e kanë sjellë atë.
Cilat janë shkaqet e hematurise?
Urinimi me gjak është një simptomë që duhet të merret shumë seriozisht, sepse shkaku mund të jetë si nga një ftohje apo infeksion i thjeshtë, ashtu siç mund të jetë edhe simptoma e parë e një tumori në sistemin urinar.
Disa nga shkaqet e hematurisë janë gurët në veshka, semundje akute ose kronike të veshkave (glomerulonefrit akut ose kronik etj), gurët në kanalin e urinës (ureter), gurët në qesën e urinës, tumorët e veshkave, tumoret e vezikës në veçanti ose infeksionet e sistemit urinar, ku futet infeksioni i veshkave (pijelonefriti), infeksioni i qesës urinare (cistiti) ose infeksioni i uretrës (uretrit) etj.
Sa është e rëndësishme vajtja në kohë të specialisti përkatës?
Ndodhë shpesh që disa nga femrat nuk i kushtojnë vëmendje hematurisë duke menduar se ndodh për shkak të infeksionit të rrugeve urinare. Urinimi me gjak mund të variojë nga ngjyra e kuqe e hapur, në të kuqe të mbyllur ose në urinim me copëza gjaku të mpiksur. Ka raste kur gjaku në urinë nuk shihet me sy dhe diagnoza vendoset me anë të analizës së urinës të parë në mikroskop.
Disa herë pacientët që kanë pasur gurë në veshkat më parë mendojnë se shkaku i hematurisë janë sërish gurët në sistemin urinar. Madje, në shumë raste ata përdorin antibiotikë të ndryshëm dhe ndodhë që hematuria të zhduket për disa kohë. Kjo përbën një nga arsyet që diagnoza e vërtetë maskohet. Ajo që vihet re më shpesh është shfaqja e një episodi të vetëm hematurie dhe më pas mund të mos ketë episode të tjera. Pacienti mund të mos ketë asnjë dhimbje ose djegie gjatë urinimit. Megjithatë, edhe në rastet kur kjo gjakderdhje nuk përsëritet, duhet të bëhen patjetër analizat për gjetjen e origjinës së hematurisë.
Cilat janë analizat që bëhen në këto raste?
Në disa kontrolle të thjeshta mund të gjendet hematuri mikroskopike në analizën e urinës. Te këta pacientë duhet të kryhen analiza derisa të gjendet arsyeja e hematurisë. Analizat radiologjike që bëhen në këto raste janë: ultrasonografia, urografia intravenoze dhe, në rast nevoje, tomografia kompjuterike (CT). Në rast se, pas këtyre analizave, nuk vendoset diagnoza, atëherë kryhet procedura e cistoskopisë.
A tregon gjithmonë gjaku në urine një sëmundje që duhet të kurohet?
Jo. Në disa raste në urinë mund të ketë qeliza gjaku pa pasur asnjë simptomë. Ndodhet vetëm në urinë dhe nuk ka asnjë simptomë tjetër. Nuk është arsye e ndonjë sëmundjeje ose problem në organet urinare. Ka arsye të ndryshme që mund të shkaktohet. Sigurisht kjo vërtetohet pas analizave të mësiperme nga specialisti i fushës i cili që është urologu.
Cfare eshte cistoskopia?
Cistoskopia është kontrolli që i bëhet qesës së urinës me një kamerë me kënd 30 gradë. Është procedurë që në shumicën e rasteve kryhet me anestezi lokale dhe pacienti nuk ka nevojë të hospitalizohet. Një nga shtysat kryesore për kryerjen e cistoskopisë është diagnostikimi i hershëm i tumorit të vezikës urinare.
Cilat janë shenjat e tumorit të vezikës urinare?
Tumori i vezikës ose i qesës së urinës është tumori i dytë me i shpesht në sistemin urinar dhe përbën rreth 3% e të gjithe tumorëve. Simptoma kryesore e tumorit të vezikës është hematuria. Në raste të avancuara mund të shfaqet shpesh edhe urinimi me dhimbje dhe me vështirësi (disuria). Gjakderdhja prej urine zakonisht vjen herë pas here, ndaj kjo është një nga arsyet që pacientët mund të vonohen për të shkuar te doktori. Ardhja me vonese te doktori çon në avancimin e sëmundjes dhe trajtimi bëhet më i vështirë.
Si trajtohet tumori i vezikës?
Siç u përmend edhe më sipër, diagnostikimi në kohë ka rëndësi shumë të madhe në këtë lloj tumori. Në rastet e zbuluara herët puna e parë që bëhet është vendosja e diagnozës me eko abdominale, ose në rast nevoje me CT abdominale. Në disa raste të tjera bëhet edhe cistoskopia. Kur pacienti vjen në kohë dhe tumori nuk ka përparuar në shtresat e muskulit të vezikës, operacioni që bëhet është heqja e tumorit nëpërmjet kanalit urinar (TUR-vezikës). Pacienti nuk ka nevojë t’i nënshtrohet një operacioni të hapur dhe del nga spitali pas një qëndrimi 2-3-ditor. Në rastet kur tumori i vezikës ka përparuar më tepër, përsëri bëhet pastrimi i të gjithë tumorit prej kanalit urinar dhe pas rreth 1 jave, sipas përgjigjes së patologjisë, vendoset për ndjekjen e mëtejshme të tumorit. Në rast se tumori ka prekur edhe muskulin e vezikës (detrusitorin), atëherë pacienti ka nevojë që t’i hiqet e gjithë vezika urinare. Kësisoj, duhet të theksojmë edhe një herë se vizita e hershme te doktori bën që këto tumore të kapen në kohë dhe të kurohen shumë shpejt dhe pa pasur nevojë për operacione të tjera shtesë.
Rezervo Takim me Doktorin
Faleminderit për interesimin tuaj. Duke klikuar linkun më poshtë ju mund të komunikoni me mua drejtpërdrejt dhe të caktoni një takim.
Ju do të kontaktoheni nga unë sa më shpejt që të jetë e mundur.
ORARI I PUNËs
E Hënë – E Premte | 9:00 – 16:00 |
E Shtunë | 9:00 – 11:00 |
Termine në spital: |